Sports FAQ
Home / Europe Football

Interwiew with hr.Briegel

ARBANITAI2010-05-10 08:07:58 +0000 #1
Brigel: Hyjme ne fushe vetem per 3 pike

Ashtu siç kishte deklaruar para dy ditësh, trajneri i kombëtares shqiptare, Hans Peter Brigel, e ka mbajtur fjalën dhe ka qenë shumë i gatshëm për të dhënë intervistën e fundit para takimit të së shtunës me Gjeorgjinë. Madje gjermani është mërzitur disi teksa punonjësit e hotel "Adriatikut" nuk kanë lejuar që intervista të jepej në ambientet e brendshme të saj. Gjithsesi, gjermani i shoqëruar nga përkthyesi shqiptar me dashamirësi u është përgjigjur të gjitha pyetjeve të gazetarëve.

Në fillim, ai është shprehur se skuadra e tij duhet të vuajë handikapin e stadiumit bosh që, sipas tij, nuk është se ndeshet shpesh në futboll. Një problem për të duket se do të jenë mungesat e Canës dhe Lalës. Sipas tij, këta dy lojtarë për nga cilësia nuk mund të zëvendësohen kokë më kokë. Për sa i përket portës, Hans Peter Brigeli ka thënë se nëse Lika nuk luan, do të ketë besim të plotë tek Hidi, që, sipas tij, ka zhvilluar një ndeshje të mirë në Poloni. Gjithashtu, me nota pozitive ai është shprehur edhe për Dragushën dhe Kapllanin. Brigeli, nga ana tjetër, është shprehur se nuk ka vendosur përfundimisht se me çfarë moduli do të luajë të shtunën. I sigurt është fakti se në fushë do të jenë dy sulmues. Brigeli, gjithashtu, ka lënë të kuptohet në fund të intervistës së tij se edhe në rast humbjeje nuk do të jetë ndonjë surprizë.

Ja intervista e plotë me trajnerin e kombëtares shqiptare Hans Peter Brigel:

- Zoti Brigel, të shtunën, skuadra jonë përfaqësuese do të përballet me kombëtaren gjeorgjiane. Një vlerësim nga ana juaj?

- Me Gjeorgjinë është një ndeshje e veçantë, sepse ne luajmë pa spektatorë. Kështu, edhe futbollistët nuk e kanë një eksperiencë të tillë të luajnë me stadiumin bosh. Ndoshta gjeorgjianët kanë një avantazh që në të kaluarën vetë kanë luajtur pa spektatorë dhe unë shpresoj që skuadra jonë të ambientohet shpejt me këtë fakt dhe të japë maksimumin.

- Mund të ndikojë ky ndryshim në këtë ndeshje?

- Patjetër që ndikon. Eshtë e vështirë, por duhet të përqendrohemi dhe të mësohemi. Kuptohet që kjo lloj situate është e re dhe shumë pak lojtarë e njohin. Kjo ishte edhe asyeja që ne zhvilluam një ndeshje kontrolli pa spektatorë.

- Do të ndikojnë mungesat e Lalës dhe Canës në këtë ndeshje?

- Kuptohet që ne do të mundohemi t'i kompensojmë këto dy mungesa. Ndoshta këta lojtarë që na mungojmë nuk i kemi në stol, gjithsesi do të mundohemi që edhe ata që do të luajnë t'i kompensojnë mungesat.

- Porta është problemi i kombëtares në këtë moment, kur dihet që Lika është dëmtuar...

- Natyrisht, për Likën do të vendosim të shtunën. Këto mund t'i cilësojmë probleme, ose më mirë dëmtime lojtarësh. Natyrisht, nëse nuk do të jetë Lika, i mundur të luajë në portë do të jetë dikush tjetër.

- Besoni se Hidi ka eksperiencën e duhur për ndeshje ndërkombëtare me kombëtaren?

- Eshtë një portier i ri, i cili akoma duhet të mësojë. Natyrisht që duhet të bëjmë një ndryshim të brezave dhe Lika tregoi se punën e tij e ka kryer mirë deri tani. Po kështu edhe Hidi punën e tij e kreu mirë.

- Po Beqaj përse nuk është grumbulluar. Ai thotë që mund të luajë pa problem?

- Unë di që është i dëmtuar dhe nuk ka luajtur më në Greqi. Informacionet që unë kam nga federata janë të tilla që ai djalë ka qenë i dëmtuar, kështu që nuk e kam grumbulluar.

- Zoti Brigel, e keni në mendje formacionin për ndeshjen e së shtunës? A keni akoma ndonjë hamendje?

- Në çfarëdolloj ndeshjesh të forta apo të dobëta, gjithmonë ka pikëpyetje për sa i përket formacionit të futbollistëve.

- Kush mund të jenë alternaitivat për mungesat e Canës dhe Lalës?

- Për këtë gjë duhet të presim edhe dy ditë për ta zbuluar. Tani nuk mund të them dot asgjë. Për Muratin që më pyesni them se është larg formës, edhe pse nuk përjashtohet asnjë gjë. E thashë edhe një herë që për të tilla gjëra do të presim të shtunën.

- Shkëmbi ka luajtur mirë në Poloni. A rr****on vendin e Skelës në formacionin e parë?

- Në ndeshjen miqësore deri tani e ka bërë shumë mirë punën e tij. Ka luajtur shumë mirë dhe për këtë arsye është një alternativë për Skelën.

- Me çfarë moduli do të luajë kombëtarja? 4-4-2 apo 3-5-2?

- Akoma nuk kam vendosur asgjë në lidhje me këtë. Gjithsesi, do të luajmë me dy sulmues.

- Si i keni parë këto ditë të rikthyerit e kombëtares, Kapllanin dhe Dragushën?

- Dragusha edhe në stërvitje, por edhe në Poloni, ka bërë një figurë të mirë. Kjo më kënaq. Po kështu edhe Kapllani.

- Objektivi i kuqezinjve në ndeshjen me Gjeorgjinë është vetëm 3-pikëshi?

- E kam thënë gjithmonë që ne në fushë hyjmë për të fituar dhe jo për të humbur. Ne luftojmë për të marrë pikë. Gjithsesi, edhe nëse humbasim nga ana ime nuk ka për të ndodhur asgjë. Për këtë të jeni të sigurt.



Reply

Name:
Content:


Other posts in this category